Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për dy vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen makabre të biznesmenit Bedri Rexhepi dhe për dëmtim të varreve. Vendimi i Apelit refuzoi të gjitha ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, duke konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.533/2022, të datës 28 maj 2025.
Kolegji i Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka paraqitur arsye të qarta dhe të plota duke dhënë arsye të duhura se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara në këtë çështje penale, përkitazi me veprat penale të cilat i vihen në barrë të akuzuarve, e po ashtu ka paraqitur saktësinë e provave nga shkresat e lëndës, ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale, mënyrën se si ka ardhur deri të kryerja e kësaj vepre penale të cilat janë vërtetuar nga provat personale dhe ato materiale.
Sipas vendimit të Apelit dënimi me burgim të përjetshëm do të parandalojë personat tjerë nga kryerja e veprave penale dhe do të shpreh gjykimin shoqëror për veprën penale.
“Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale, pasi që ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale e po ashtu edhe ato materiale, andaj kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor , pasi që nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe ndjekjen penale nga të akuzuarit.”, thuhet në njoftim.
“Duke i vlerësuar të gjitha rrethanat e përshkruara si në këtë aktgjykim, kolegji gjykues është i bindur se me dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”, thuhet tutje.
Jeton e Nexhat Vllasaliu akuzoheshin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe Dëmtimi i varreve apo kufomave.






