Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit ka nisur një aksion për largimin e reklamave të vendosura pa leje në hapësirat publike, si pjesë e angazhimeve për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e rendit urban.
Sipas Drejtoratit për Inspekcion, një reklamë e madhe është hequr në rrugën “Nëna Tereze”, pranë rrugës së Prishtinës në qendër të qytetit, ndërsa aksioni përfshin edhe largimin e reklamave të tjera që ndodhen në zona të ndryshme.
“Inspektorët më 13 mars kishin vendosur shirita paralajmërues dhe njoftime në shtyllën e reklamës, duke informuar pronarin për pasojat e mundshme në rast mosveprimi. Reklama u hoq nga personat përgjegjës për vendosjen e saj,” njofton Drejtoria për Inspekcion.
Sipas zyrës për informim të komunës, aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjitha reklamave dhe gjësendeve të tjera të paligjshme në hapësirat publike.






