Një projekt i ri madhor mjedisor, i financuar nga BE-ja, u nis sot zyrtarisht në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së ujit në lumin Sitnicë dhe uljes së ndotjes industriale.
Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian po investon 12 milionë euro në infrastrukturë për trajtimin e ujërave të ndotura në Kosova B.
Projekti do të zbatohet nga UNOPS dhe pritet të ndihmojë në uljen e ndotjes, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe sjelljen e përfitimeve afatgjata për mjedisin dhe shëndetin publik të komuniteteve që jetojnë përgjatë lumit.
Ai përfshin ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe të një objekti për ruajtjen e kimikateve. Pasi të jetë funksionale, kjo infrastrukturë do të ndihmojë në uljen e shkarkimit të ujërave të patrajtuara në lumin Sitnicë, përmirësimin e trajtimit të efluenteve industriale dhe mbështetjen e përputhshmërisë me vlerat kufitare të emetimeve të BE-së dhe legjislacionin vendor.
Ceremonia e nënshkrimit të kontratës mblodhi përfaqësues të BE-së në Kosovë, UNOPS-it, KEK-ut, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, NIPAC-ut dhe Zyrës së Koordinatorit të Zhvillimit të OKB-së, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit në adresimin e sfidave mjedisore të Kosovës. Përfaqësuesit e qeverisë dhe të KEK-ut e mirëpritën këtë investim dhe falënderuan Bashkimin Evropian për mbështetjen.
Duke folur në ceremoni, Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në BE në Kosovë, tha se ky projekt tregon përkushtimin e BE-së për të sjellë rezultate që kanë rëndësi për njerëzit në Kosovë: “Ne jemi partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm dhe duam të sjellim rezultate që kanë rëndësi për njerëzit, dhe duam t’i sjellim ato shpejt. Çfarë mënyre më të mirë për ta bërë këtë sesa me një program si ky, që lidh ekonominë me mjedisin dhe prek jetën e kaq shumë njerëzve në Kosovë.”
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha: “Lumi Sitnicë prek më shumë se 400,000 banorë në disa komuna, gati një të katërtën e popullsisë së Kosovës. Kjo tregon sa i rëndësishëm është ky projekt dhe sa i gjerë do të jetë përfitimi i tij publik.”
Gramos Hashani, Drejtor Ekzekutiv i KEK-ut, tha: “Për herë të parë në funksionimin e Kosovës B, ujërat e ndotura do të trajtohen në një mënyrë plotësisht të integruar, të kontrolluar dhe të standardizuar.”
Përveç vetë infrastrukturës, projekti përfshin edhe ngritje të kapaciteteve dhe trajnim të stafit për të mbështetur funksionimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të reja në vazhdimësi. Kjo do të ndihmojë që investimi të japë rezultate afatgjata dhe ta mbështesë KEK-un në funksionimin efektiv të sistemeve të reja.
Ky projekt është pjesë e mbështetjes më të gjerë të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit, infrastrukturën e qëndrueshme dhe përmirësimin e menaxhimit të ujërave të ndotura në Kosovë. Përmes këtij angazhimi të vazhdueshëm, BE-ja mbështet përpjekjet për të ulur ndotjen, për të forcuar standardet mjedisore dhe për të mbrojtur mirëqenien e komuniteteve në mbarë vendin.






