7.5 C
Pristina
Wednesday, April 1, 2026

Kurti kujton masakrën në Lybeniq të Pejës: Serbia mohon të kaluarën e saj, është strehë e kriminelëve të luftës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar të vrarit në masakrën e Lybeniqit të Pejës, duke thënë se, drejtësia për këtë krim në Serbi, është zvarritur dhe mjegulluar.

Kurti ka thënë se dëshmia më e madhe se sakrifica e martirëve u shndërrua në liri, në zhvillim dhe në një të ardhme më të ndritur për të gjithë, është fakti se Kosova, nga një vend i shkatërruar nga lufta, sot është një shtet që krijon mundësi dhe që u jep shpresë brezave të rinj.

“Serbia, duke refuzuar të ballafaqohet me të kaluarën e saj, mbetet peng i saj, tokë e varrezave masive, e strehë e kriminelëve të luftës’’, ka shkruar Kurti.

Postimi:

Më 1 prill të vitit 1999, në agimin e një dite pranvere, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Lybeniq të Pejës. Në orën 07:00 të mëngjesit, pjesëtarë të njësitit “Çakejt”, në kuadër të njësitit “177” të ushtrisë jugosllave, bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale, e sulmuan fshatin, me një plan të errët shfarosjeje.

Brenda pak çastesh, banorët u dëbuan nga shtëpitë e tyre, u mblodhën në mes të fshatit, pranë xhamisë. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u ndanë dhe u dëbuan, ndërsa 59 burrat u vranë me rafalë të pandalshëm armësh automatike.

Në Serbi, drejtësia për këtë krim është zvarritur dhe mjegulluar, një drejtësi e cunguar në një shtet gjenocidal.

Por përballë mohimit të tyre, qëndron e vërteta jonë. Përballë errësirës së djeshme, sot qëndron Kosova e lirë, demokratike që po punon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Serbia, duke refuzuar të ballafaqohet me të kaluarën e saj, mbetet peng i saj, tokë e varrezave masive, e strehë e kriminelëve të luftës.

Ndërkohë, Republika e Kosovës po forcohet çdo ditë. Po rrisim kapacitetet mbrojtëse me ushtarë të rinj dhe një ushtri gjithnjë e më të përgatitur, po fuqizojmë Policinë dhe po avancojmë drejtësinë. Numri i hetimeve, aktakuzave dhe gjykimeve për krime lufte është në rritje, ndërsa dokumentimi i së vërtetës po bëhet nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Shteti ynë u qëndron pranë familjeve të dëshmorëve dhe martirëve përmes përkushtimit institucional, përfshirë Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Nga një vend i shkatërruar nga lufta, sot kemi një shtet që krijon mundësi dhe që u jep shpresë brezave të rinj. Kjo është dëshmia më e madhe se sakrifica e martirëve u shndërrua në liri, në zhvillim dhe në një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA