Drejtori i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Astrit Zemaj, ka pritur në takim lamtumire Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vend.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO, përmes NALT-it, duke u theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e Aleancës.
“Bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm me NALT ka kontribuar në avancimin e kapaciteteve të Kosovës dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e NATO-s”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, Zemaj ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe lidershipin e gjeneralit gjatë mandatit të tij në Kosovë.
“Vlerësojmë lidershipin dhe kontributin e Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange në përmbushjen e standardeve që e afrojnë Republikën e Kosovës me synimin strategjik të anëtarësimit në NATO”, thuhet më tej.
Nga ana tjetër, u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe vendet aleate, duke e konsideruar këtë partneritet thelbësor për sigurinë dhe integrimin euroatlantik.






