Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të etanolit (alkool i koncentruar 96%) në rajonin e Prizrenit, në dy operacione të ndara, duke parandaluar një shmangie nga taksat doganore dhe akciza në vlerë rreth 6,260 euro.
Sipas njoftimit zyrtar të Doganës, gjatë kontrollit në terren, njësitet antikontrabandë ndaluan një automjet transportues ku u gjetën 500 litra etanol pa dokumentacion përkatës. “Personat e përfshirë nuk kanë poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e rregullt të mallit, importin legal apo pagesën e taksave doganore,” thuhet në njoftim.
Pas ndalimit të automjetit, u kryen kontrolle shtesë në lokacione të dyshuara, duke çuar në zbardhjen e një sasi tjetër prej 500 litrash etanol të fshehur në garazhin e një shtëpie në të njëjtin rajon. Sasia totale e sekuestruar arrin 1,000 litra etanol, e cila dyshohet se ka origjinë nga Serbia dhe nuk shoqërohej me asnjë dokumentacion ligjor.
Dogana thekson se kjo sasi përfaqëson shmangie nga pagesa e akcizës, taksave doganore dhe TVSH-së, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe krijuar konkurrencë të padrejtë në treg.
“Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore në koordinim me institucionet kompetente dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave të përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi,” thuhet në njoftim.






