Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka votë për dy kandidatët aktualë të Lëvizjes Vetëvendosje për president, tha nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini.
Ai pas mbledhjes së këshillit drejtues të AAK-së, tha se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të kryeministrit, njëherësh liderit të LVV-së, Albin Kurti, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Përkundër që Gjykata Kushtetuese dha afat 30 ditë për zgjedhjen e presidentit, Gjini tha se nuk po sheh vullnet dhe sinqeritet nga LVV-ja për të zgjedhur presidentin. Kësisoj, sipas tij, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja pas konsumimit të këtij afati.
I pyetur nëse i përgjigjen pozitivisht ndonjë ftese për takim nga Kurti, ai e mohoi një gjë të tillë.
Duke folur për aktgjykimin e 25 marsit të Gjykatës Kushtetuese, ku e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentes Vjosa Osmani, nënkryetari i AAK-së thotë se do ta respektojnë të njëjtin.
Gjatë konferencës për gazetarë, Gjini foli edhe për zgjedhjet e brendshme në parti, ku njoftoi se të njëjtat do të vijojnë dhe se i tërë procesi do të përmbyllet në fund të muajit maj.
Gjini veçse ka shpallur kandidaturën për kryetar të AAK-së.
Në anën tjetër, u shpreh edhe kritik ndaj qeverisë, siç tha për mos heqjen e akcizës për derivate./KP






