Në Bratislava janë ndërmarrë masa të rrepta sigurie në prag të përballjes mes Kombëtares së Sllovakisë dhe asaj të Kosovës në futboll, e vlefshme për gjysmëfinalen e “play-off”-it kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Autoritetet vendase kanë konfirmuar se gjithçka është organizuar për të garantuar mbarëvajtjen e qetë të këtij eventi të rëndësishëm sportiv.
Ndeshja do të zhvillohet sonte në stadiumin kombëtar të Bratislavës, me fillim nga ora 20:45. Institucionet e sigurisë kanë paralajmëruar prani të shtuar të forcave policore para, gjatë dhe pas takimit.
“Qëllimi i masave të sigurisë është mbrojtja e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, sigurimi i rendit publik, si dhe garantimi i një rrjedhe të qetë të trafikut rrugor në Bratislavë. U bëjmë thirrje tifozëve që të ndjekin udhëzimet e organizatorëve dhe policisë dhe të shmangin çdo veprim të paligjshëm para, gjatë dhe pas ndeshjes, në stadium apo në afërsi të tij”, njofton policia sllovake në rrjetet sociale.
Autoritetet e kanë kategorizuar këtë ndeshje si një event me rrezikshmëri të lartë, duke marrë parasysh interesimin e madh dhe numrin e konsiderueshëm të tifozëve që pritet të jenë të pranishëm.
Për këtë arsye, njësi të ndryshme policore, përfshirë ato të trafikut, ndërhyrjes së shpejtë dhe hetimeve kriminale, do të jenë në terren për të monitoruar situatën dhe për të reaguar në çdo rast të nevojshëm.
Nga ana tjetër, përkrahja për Kosovën pritet të jetë e fuqishme edhe në tribunat e stadiumit. Edhe pse zyrtarisht tifozëve kosovarë u takon një numër i kufizuar biletash, interesimi i madh lë të kuptohet se prania e tyre mund të jetë edhe më e lartë.






