14.2 C
Pristina
Wednesday, March 25, 2026

Punëtorët e “Prishtina Parking” protestojnë për të tretën herë, paralajmërojnë grevë të përgjithshme

Punëtorët e “Prishtina Parkingut”, kanë protestuar për të tretën herë para zyreve të kësaj ndërmarrjeje, duke kërkuar përmirësimin e kushteve të punës.

Rritja e pagës, pagesa e shujtës, pagesa e sigurimit shëndetësor, shlyerja e borxhit për muajin shtator dhe pagesa e kontributit të sindikatës janë kërkesat kryesore që këta punëtorë kërkojnë nga ndërmarrja dhe Komuna e Prishtinës.

E, në rast se këto kërkesa nuk u plotësohen, të njëjtit kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme, raporton Ekonomia Online.

Safet Zuka, anëtar i kryesisë së punëtorëve të “Prishtina Parkingut”, deklaroi se kjo është protesta e tretë dhe se ende nuk ka pasur reagim nga pala tjetër.

“Sot ndodhemi në protestën e tretë me radhë. Deri në këtë moment, nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete drejt arritjes së ndonjë marrëveshjeje për përmbushjen e kërkesave tona legjitime.Ne, punëtorët e ndërmarrjes, mbetemi të palëkundur në qëndrimet tona. Përkundër kërkesave tona dhe refuzimit të tyre, që nga fillimi i grevës e deri më tani, nuk jemi ftuar në asnjë takim dhe nuk na është ofruar asnjë alternativë për tejkalimin e gjendjes së krijuar. Me pak fjalë, nuk ka pasur asnjë reflektim nga pala tjetër. Kjo situatë është e papranueshme dhe na detyron të vazhdojmë protestën, por tashmë në forma të tjera. Fillimisht, do të angazhojmë një ndërmjetësues ligjor për të negociuar kërkesat tona. Nëse nuk arrihet një zgjidhje, do të fillojmë me bojkot në vendin e punës. Nëse as kjo masë nuk sjell reflektim, do të detyrohemi të hyjmë në grevë të përgjithshme – ndonëse kjo është një masë që nuk e dëshirojmë.

Gjithashtu, ju informojmë se jemi në pritje të një përgjigjeje nga kryetari Rama, i cili, sipas detyrimit të tij kushtetues, duhet të takohet me qytetarët për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre. Për këtë qëllim, i kemi dërguar dy e-maile zyrtare. Tani do t’i paraqesim kërkesat tona:

• Rritja e pagës mujore, si kusht i domosdoshëm për vazhdimin e punës;

• Pagesa e shujtës;

• Pagesa e sigurimit shëndetësor;

• Shlyerja e borxhit për muajin shtator;

• Pagesa e kontributit të sindikatës”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i sindikatës së “Prishtina Parking”, Flamur Hajdari, foli për hapat e mëtejmë të sindikatës nëse kërkesat nuk plotësohen.

“Sot jemi mbledhur këtu, kjo është protesta e tretë që e kemi bërë dhe është java e tretë. Po shpresojmë që kjo të jetë e fundit. Do të hyjmë në një ndërmjetësim dhe, nëse edhe aty nuk ka rezultat, do të fillojmë me grevë. Qëllimi ynë janë kërkesat që i kemi adresuar: rritja e pagës dhe shujta, të cilat janë gjërat më kryesore që kërkojmë për momentin. Po shpresojmë që do të bëjmë diçka. Për momentin kushtet janë shumë të vështira. Presim një ndërmjetësim. Nëse nuk ka rezultat, do të vazhdojmë me grevë. Nuk na ka mbetur tjetër”, tha ai.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Pavarur të SH.A. KOSTT, Arben Pllana, shprehu mbështetje për kërkesat e punëtorëve.

“Mbështetja jonë është që t’i përkrahim çdo sindikatë, pavarësisht, përfshirë edhe sindikatën e ‘Prishtina Parking’, që t’u paguhet shujta, anëtarësia, sigurimi shëndetësor dhe të gjitha benefitet e tjera që u takojnë si punëtorë të një ndërmarrje publike”, theksoi ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA