5.8 C
Pristina
Tuesday, March 24, 2026

Zbulohen detajet e bisedës Trump–Netanyahu 48 orë para sulmit: Nuk do të kemi mundësi më të mirë

Më pak se 48 orë para fillimit të sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit, kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin Donald Trump, duke u përpjekur të shpjegojë arsyet për nisjen e një lufte të ndërlikuar dhe të largët – pikërisht të asaj natyre që Trump dikur e kishte kundërshtuar hapur gjatë fushatës, shkruan ekskluzivisht Reuters.

Si Trump ashtu edhe Netanyahu, më herët gjatë asaj jave, bazuar në informacione të inteligjencës, e dinin se lideri suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt do të takoheshin së shpejti në kompleksin e tij në Teheran – duke u bërë kështu një objektiv i mundshëm i një të ashtuquajturi “sulm dekapitues”, pra një goditje e drejtuar ndaj majës së udhëheqjes politike dhe ushtarake.

Netanyahu, i vendosur për të realizuar operacionin që e ka mbështetur prej dekadash, i tha Trumpit se ndoshta nuk do të kishte më kurrë një mundësi më të mirë për eliminimin e Khameneit – dhe për hakmarrje ndaj përpjekjeve të mëparshme iraniane për atentat ndaj Trumpit, përfshirë një plan të supozuar në vitin 2024.

Siç rikujton Reuters, Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte akuzuar një shtetas pakistanez se kishte tentuar të rekrutonte persona në SHBA për të vrarë Donald Trumpin, si hakmarrje për eliminimin e gjeneralit iranian Qassem Soleimani.

Në momentin e bisedës Trump kishte miratuar në parim operacionin ushtarak kundër Iranit, por ende nuk kishte vendosur se kur dhe në çfarë kushtesh SHBA do të përfshihej drejtpërdrejt.

Ushtria amerikane kishte javë që po grumbullonte forca në rajon, ndaj shumë në administratë besonin se ishte vetëm çështje kohe kur presidenti do të jepte dritën jeshile.

Reuters nuk arriti të përcaktojë se sa ndikoi argumenti i Netanyahut në vendimin përfundimtar të Trumpit, por biseda përbënte një përpjekje të fundit për të bindur atë.

Sipas burimeve, pikërisht ajo bisedë – së bashku me vlerësimin se “dritarja e mundësisë” për eliminimin e liderit iranian po mbyllej – ishte një nga faktorët kyç që e shtyu Trumpin të nisë më 27 shkurt operacionin “Epic Fury”.

Netanyahu, sipas Reuters, argumentoi se Trump mund të hynte në histori duke eliminuar udhëheqjen iraniane, të cilën Perëndimi – por edhe shumë iranianë – e konsiderojnë prej kohësh armiqësore. Ai madje sugjeroi se iranianët mund të dilnin në rrugë dhe të rrëzonin regjimin teokratik që qeveris që nga viti 1979 dhe që konsiderohet një nga burimet e paqëndrueshmërisë globale.

Bombat e para ranë në mëngjesin e 28 shkurtit. Po atë mbrëmje, Trump njoftoi se Khamenei kishte vdekur.

Siç rikujton Reuters, vetë Netanyahu hodhi poshtë pretendimet se Izraeli “e kishte tërhequr SHBA-në në luftë”, duke i quajtur “lajme të rreme”.

“A mendon dikush vërtet se dikush mund t’i thotë presidentit Trump çfarë të bëjë?”, tha kryeministri izraelit.

Trump publikisht theksonte se vendimi për nisjen e luftës ishte ekskluzivisht i tij.

Megjithatë, burimet e Reuters sugjerojnë se, edhe pse Netanyahu nuk e detyroi domosdoshmërisht Trumpin të hynte në luftë, argumentet e tij – përfshirë theksimin e mundësisë për eliminimin e një lideri që pretendohet se qëndronte pas përpjekjeve për atentat ndaj Trumpit – ishin shumë bindëse.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA