Një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në rrugën “Marije Shllaku” në Pejë, ku një i ri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.
Ngjarja ka ndodhur më 23 mars rreth orës 11:00, kur Policia ka pranuar informacion dhe ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë takuar viktima dhe i dyshuari.
Bëhet fjalë për Gj. A., i cili sipas deklarimit të viktimës – nënës së tij, P.A., ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në mënyrë të vazhdueshme, duke e goditur me shuplaka dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor dhe, pavarësisht rastit, ka vendosur të kthehet në shtëpinë e saj.
Sipas informacioneve, i dyshuari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe pas ekzaminimit nga psikiatri nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.
Në lidhje me rastin janë njoftuar Qendra për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ai është dërguar në repartin neuropsikiatrik të Spitalit në Pejë, ku ndodhet nën përkujdesjen e zyrtarëve policorë.
Hetimet janë në zhvillim.






