Një zbulim i ri shkencor mbi metabolizmin e jashtëzakonshëm të pitonëve mund të hapë perspektiva të reja për humbje të shëndetshme në peshë dhe për luftimin e humbjes së muskujve që lidhet me moshën.
Studiuesit në Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar një molekulë të panjohur më parë në gjakun e pitonëve, e cila i sinjalizon trurit kur organizmi ka marrë mjaftueshëm ushqim. Këta gjarpërinj janë të njohur për aftësinë e tyre për të konsumuar vakte shumë të mëdha dhe më pas për të qëndruar pa ushqim për muaj apo edhe vite, pa dëmtime afatgjata në zemër apo muskuj.
Molekula, e quajtur para-tiraminë-O-sulfat (pTOS), u zbulua nga ekipi i drejtuar nga profesoresha Leslie Leinwand në Universitetin e Kolorados Boulder, në bashkëpunim me studiues nga Stanford Medicine dhe Baylor University. Studimi është publikuar në revistën shkencore “Nature Metabolism”.
Sipas kërkimit, menjëherë pas ushqimit, metabolizmi i pitonit përshpejtohet ndjeshëm, ndërsa niveli i pTOS në gjak rritet mbi 1,000 herë. Edhe te njerëzit kjo molekulë rritet pas vakteve, por në nivele shumë më të ulëta. (pTOS) prodhohet përmes një procesi që përfshin bakteret e zorrëve dhe më pas dërgon sinjale në tru për të frenuar oreksin.
Ndryshe nga hormoni GLP-1, i përdorur në ilaçe për humbje peshe si Ozempic apo Wegovy, që shpesh shoqërohen me efekte anësore si të përziera dhe probleme tretjeje, (pTOS) ka treguar rezultate premtuese në studimet me kafshë, duke ulur marrjen e ushqimit dhe peshën trupore pa efekte të theksuara anësore.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkimi është ende në faza të hershme. (pTOS) është testuar vetëm te minjtë dhe efektet e tij te njerëzit mbeten për t’u studiuar. Gjithashtu, tek personat me prediabet ose diabet të tipit 2, ky mekanizëm mund të mos funksionojë në të njëjtën mënyrë.
Ky zbulim nënvizon rolin e rëndësishëm të baktereve të zorrëve në rregullimin e metabolizmit dhe mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja që ndihmojnë në kontrollin natyror të oreksit.






