Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut në 24 orët e fundit në Kosovë.
Sipas raportit të Policisë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 2 aksidente me fatalitet, 27 aksidente me të lënduar dhe 29 aksidente me dëme materiale, ndërsa janë shqiptuar 2 mijë e 348 tiketa trafiku.
Një nga aksidentet fatale ka ndodhur në Prizren më 18 mars rreth orës 18:40, ku një drejtues automjeti dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një këmbësor në vendkalim. Viktima ka pësuar lëndime vdekjeprurëse dhe ka ndërruar jetë në spital. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Rasti tjetër tragjik ka ndodhur në magjistralen Podujevë–Prishtinë më 18 mars rreth orës 07:00, ku një motoçiklist ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur në një shtyllë elektrike. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i tij është dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit.
Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik dhe respektim të rregullave rrugore për të parandaluar raste të tilla tragjike.






