Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit t’i japin fund luftës së tyre me Iranin dhe tha se BE-ja po konsultohet me qeveritë në Lindjen e Mesme se si të përfundojë konfliktin.
“Mendoj se do të ishte në interes të të gjithëve nëse kjo luftë ndalet. Problemi me luftërat është se është më e lehtë t’i fillosh sesa t’i ndalosh ato, dhe gjithmonë del jashtë kontrollit. Ne jemi konsultuar me vendet e rajonit si vendet e Gjirit, Jordania, Egjipti, nëse mund të paraqesim propozime për Iranin, Izraelin dhe SHBA-në për të dalë nga kjo situatë“, tha ajo.
Në një intervistë për Reuters në Bruksel, Kallas tha gjithashtu se nuk përjashtohet një ndërhyrje evropiane në përpjekjet për të rivendosur lirinë e lundrimit në ngushticën e Hormuzit, por theksoi se ka shumë të ngjarë që ajo të vijë si pjesë e një zgjidhjeje diplomatike.
Shumë vende evropiane kanë hedhur poshtë thirrjet e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë në një mision për të liruar ngushticën, një pikë kyçe tranziti për naftën, gazin dhe mallrat e tjera tani të bllokuara kryesisht nga Irani.
Udhëheqësit evropianë kanë thënë se nuk janë të gatshëm t’i vënë forcat e tyre në rrezik në mes të një lufte që nuk e kanë filluar, edhe pse Trump ka paralajmëruar se hezitimi i tyre mund të ketë pasoja negative për aleancën e NATO-s.
Kallas tha se Evropa nuk i kuptonte disa nga veprimet e Shteteve të Bashkuara nën Trump ose objektivat e saj në Iran, por ishte mësuar me paparashikueshmërinë e tij.






