Rusia ka rënë dakord të ndalojë rekrutimin e qytetarëve kenianë për të luftuar me ushtrinë e saj në Ukrainë. Kështu ka deklaruar këtë të hënë, ministri i jashtëm i Kenias Musalia Mudavadi, pas bisedimeve me homologun e tij rus në Moskë.
Më shumë se 1 mijë e 780 qytetarë nga 36 vende afrikane besohet se po luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Ukrainës në shkurt.
Shërbimet e inteligjencës së Kenias vlerësojnë se mbi 1 mijë kenianë janë dërguar për të luftuar, sipas një raporti të parë nga Agence France-Presse (AFP).
“Tani kemi rënë dakord që kenianët nuk do të rekrutohen,” tha ministri Mudavadi, duke folur para gazetarëve përkrah ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, citon The Guardian.
Që nga dërgimi i trupave në Ukrainë në vitin 2022, Rusia është akuzuar shpesh herë se ka rekrutuar njerëz nga kombësi të ndryshme për të luftuar përkrah ushtrisë së saj.
Lavrov tha se qytetarët kenianë kishin nënshkruar vullnetarisht kontrata për të luftuar me ushtrinë ruse. Por disa prej tyre, si atleti Evans Kibet, pretendojnë se u mashtruan. Kibet, i kapur nga Ukraina dhe i mbajtur si rob lufte, i tha AFP-së në një intervistë nga vendi ku mbahej se ishte mashtruar për të nënshkruar një kontratë ushtarake pasi kishte shkuar në Rusi për një aktivitet sportiv.
Kryeministri britanik Keir Starmer, që pret presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për bisedime të martën, paralajmëroi se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit nuk duhet të kthehet në “fitim për Putinin”.
Rusia ka përfituar rreth 6 miliardë euro nga shitja e karburanteve fosile që prej nisjes së konfliktit. Zelenskyy do të vizitojë Madridin të mërkurën për takime me kryeministrin Pedro Sánchez.
Rusia ka marrë kontrollin e 12 vendbanimeve në Ukrainë në dy javët e para të marsit si pjesë e avancimeve përgjatë vijës së frontit në lindje dhe jug të Ukrainës, sipas agjencive shtetërore ruse të lajmeve, që citojnë gjeneralin e lartë Valery Gerasimov. Ai tha se forcat ruse po “lëvizin në mënyrë aktive drejt Slovianskut,” një qytet i fortifikuar në rajonin lindor të Donetskut, i konsideruar prej kohësh një nga objektivat kryesore të Moskës.
Ndërkohë, një cisternë gazi ruse e dëmtuar, “Arctic Metagaz”, po endet pa ekuipazh prej gati dy javësh me 700 ton karburant në bord. Rusia tha se anija, pjesë e “flotës hije” të sanksionuar nga SHBA-të dhe BE-ja, u sulmua nga dronë detarë ukrainas.






