Në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Arsim Fehmiu, është mbajtur mbledhje komemorative nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me këtë rast, ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku tha se kontributi i Fehmiut në zhvillimin e arsimit në Kosovë ishte i jashtëzakonshëm, sidomos në kohërat kur Kosova ishte nën okupim.
“Sikurse emri që e mbante, profesori i ndjerë ka kaluar një jetë të tërë me arsimin dhe duke kontribuar në zhvillimin e arsimit. Ai ka arritur nivelet e arta të edukimit duke qenë ndër gjeneratat e para të shkolluara në fushën e sportit pikërisht në kohërat kur pothuajse ishte gati e pamundur të ndiqej shkollimi për shkak të shtypjes nga regjimi i asaj kohe. Dijen e tij të fituar me shumë mund, profesori Arsim e ndau tek gjeneratat e reja me shumë pasion dhe dashur për të cilën ai gjithmonë do të mbetet një model shembullor dhe një udhërrëfyez drejt punës dhe suksesit.”, tha Çeku.
Çeku shtoi se përveç arsimit, kontribut të madh Fehmiu i dha edhe sportit duke ndihmuar shumë klube, federata e sportistë të ndryshëm që të ndjekin rrugën e zhvillimit drejtë sukseseve dhe se gjurmët e tij në këtë fushë do të mbeten të pashlyera.
“Ai ishte sportit, trajner e punëtor sportiv në disa sporte te ndryshme, por përkushtimi i tij mbi shtatë dekada në sport nuk ishte i kufizuar vetëm në fushat apo palestrat sportive, më shumë se kaq, në një kohë kur nuk kishim as organizata, as institucione e as sistem të organizimit sportiv, ishte ai i cili merrte gjithmonë hapin e parë për të themeluar dhe funksionalizuar këto institucion dhe këto organizata…Gjurmët e profesorit Arsim Fehmiu do të mbesin gjithmonë të pashlyera dhe do të shërbejnë si frymëzim dhe motiv për gjeneratat e reja që do ta ndjekin rrugën e tij.”, theksoi Çeku.
Njëri nga bashkëpunëtorët e tij, profesori Malsor Gjonbalaj, tha se Kosova ka humbur njërin nga intelektualët më të mëdhenj të saj.
“Jam thellësisht i bindur që Republika e Kosovës, qytetarët e saj, sportistët, sportdashësit, por edhe të gjithë shqiptarët anë e kënd kanë humbur njërin nga intelektualët më të dalluar në fushën e edukimit fizik dhe sportit…Është vërtetë impresionuese ta kujtosh energjinë e tij, ai edhe pse në moshë të shtyrë, nuk hezitonte të na thërriste e të takoheshim, të na këshillonte për zhvillimin e sportit e sidomos për zhvillimin e gjeneratave të reja.”, the Gjonbalaj.
Në emër të familjes së Fehmiut, foli djali i tij Agon Fehmiu.
Ai tha se babai i tij deri në ditët e fundit vazhdoi të kishte kontakte me njerëzit e sportit në Kosovë, derisa shtoi se komuniteti sportiv do të përfitojë viteve në vazhdim nga puna e tij sepse ka lënë prapa shumë projekte të nisura e të cila do të jetësohen viteve të ardhshme. Ai zbuloi edhe amanetin që i la baba i tij para vdekes, e që ishte ruajtja e komunikmit me njerëzit dhe krijimi i urave mes tyre.
“Gjatë 91 viteve të jetës së tij, prej të cilave 75 i kaloi si sportist, mësues, profesor dhe themelues i shumë institucioneve sportive, babai ka takuar me dhjetëra mijëra njerëz dhe ajo që nga ka fancionuar është fakti që deri në ditët e fundit mbante kontakte me një numë të madh të tyre, çoftë edhe vetëm për të pyetur se si janë më shëndet. Edhe në vdekjen e tij, profesor Arsimi i qëndroi besnik kuptimit të emrit të tij dhe asaj që bëri tërë jetën, na dha një mësim dhe ligjëratë, së paku mua, se sa e rëndësishme është të komunikojmë njëri me tjetrin dhe të ndërtojmë ura, një veti dhe virtyt që sot po zhduket.”, tha Fehmiu.
Arsim Fehmiu ishte njëri nga themeluesit Fakultetit të Kulturës Fizike, në Universitetin e Prishtinës duke dhënë kontribut të madh në edukimin e shumë gjeneratave në fushën e sportit.
Ai vdiq më 20 qershor në moshën 91 vjeçare.