Të hënën u varrosën Mirsada e Dion Ademaj, që vdiqën si pasojë e përmbytjeve të së shtunës, në qytetin e Pejës.
Përveç dy jetëve të humbura, edhe dëmet materiale ishin të mëdha, pasi shumë shtëpi u dëmtuan e shumë lokale e biznese private u shkatërruan tërësisht.
Për vlerësimin e dëmeve, ishte themeluar një komision, por sot u shtua edhe një tjetër. Njëri do t’i vlerësojë dëmet nëpër shtëpi e tjetri nëpër biznese.
“Në mbledhjet e bordit e kemi një komision të formuar për vlerësim të dëmit. Por meqenëse ka qenë terren i hapur kemi bërë dy komisione. Komisioni i parë do t’i vlerësojë dëmet nëpër shtëpi, ndërsa komisioni i dytë do t’i vlerësojë dëmet nëpër biznese. Pra personave të cilëve përmbytjet u kanë shkaktuar dëme, do të kenë mundësi të aplikojnë përmes një formulari ku ne pastaj e dërgojmë në qeveri për kompensim të dëmeve”, zëdhënësi në Komunën e Pejës, Faik Zekaj.
Dy prej lagjeve më të prekura nga përmbytjet janë “Asllan Çeshmja” e “Fidanishte”. Në asnjërën prej tyre, shtëpitë nuk janë të ndërtuara sipas një plani
urbanistik.
“Jo, një pjesë e tyre janë të ndërtuara më herët, një pjesë janë ndërtuar para luftës. Një pjesë e ndërtimit kanë leje e një pjesë tjetër kanë legalizime”, tha Zekaj.
ATV-ja ka tentuar të kuptojë se kur ka qenë hera e fundit që komuna ka bërë zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në këto lagje, por për këtë çështje nuk mori detaje. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: