Një aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit është zhvilluar në tri lokacione të komunës së Vushtrri, ku janë arrestuar gjashtë persona dhe janë sekuestruar disa mjete pune që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, aksioni është realizuar në koordinim me Policia e Kosovës në fshatrat Bivolak, Zhilivodë dhe Stroc, pas dyshimeve për nxjerrje ilegale të thëngjillit në këto zona.
“Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona të cilët do të intervistohen nga policia, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ dhe ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar tre eskavatorë, gjashtë kamioneta dhe një traktor, të cilat dyshohet se janë përdorur për nxjerrjen ilegale të thëngjillit.
Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është theksuar se institucionet e drejtësisë mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që dëmtojnë mjedisin.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë mjedisin dhe do të vazhdojë me vendosmëri të ndjekë penalisht të gjithë ata që shkaktojnë dëme ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/






