Profesori amerikan, Edward Joseph, beson që dalja nga ngërçi i ri politik në Kosovë është rizgjedhja e Vjosa Osmanit presidente.
Ai tha se kjo është një “zgjedhje logjike” që Osmani të mbetet në pozicionin e presidentes dhe lavdëroi atë për lidhjen me Administratën Trump.
“A bëri presidentja diçka për ta diskualifikuar veten? Kjo është pyetja, jo nëse ju pëlqen Osmani apo jo. Pyetja është nëse Osmani bëri diçka për ta diskualifikuar veten nga një mandat i dytë. Dhe përgjigjja është absolutisht jo. Përkundrazi, ne themi këtu në Uashington se ajo është presidentja që ka ndërtuar marrëdhënien më të ngushtë me administratën Trump. Pra, kjo është një përgjigje shumë e qartë dhe lidhet me mbrojtjen e interesave të Kosovës”, tha Joseph për mediumin në gjuhën serbe “Kosovo Online”.
Joseph tha se kjo është “një krizë artificiale, një krizë egoje dhe mungese lidershipi dhe nuk është në interes të Kosovës”.
“Presidentja Osmani ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta që janë të dukshme. E prita vitin e kaluar, ajo u takua gjithashtu me zyrtarë të lartë amerikanë dhe ajo ka ruajtur komunikimin midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, edhe pasi dialogu strategjik me Kosovën u pezullua”, shtoi Joseph.
Siç shtoi ai, është e qartë se Albin Kurti, si Kryeministër dhe udhëheqës i partisë me më shumë vende në parlament, ka një rol kyç në këtë situatë politike.
Lidhur me marrëdhënien midis Kurtit dhe Osmanit, Joseph pohon se ato janë dinamike, por se tani është koha për të marrë parasysh “ekskluzivisht interesat e Kosovës”.
“Unë e di që këto janë figura politike dinamike, pavarësisht se si filloi marrëdhënia e tyre. Të gjitha marrëdhëniet politike janë dinamike. Pavarësisht nëse Kurti ishte politikisht mbi Osmanin në fillim dhe më pas u bë politikisht e pavarur, marrëdhëniet në politikë ndryshojnë. Çështja është se cila është puna e presidentes. Ky është i vetmi problem – dhe shmangia e një krize që dëmton vendin. Çfarëdo keqkuptimesh, pakënaqësish apo mosmarrëveshjesh që të ketë midis Kurtit dhe Osmanit, nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është ajo që është në interes të Kosovës dhe kjo është që presidentja të mbetet në detyrë”, tha Joseph.






