Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.
Vendimi vjen pasi kryeministri Albin Kurti e dorëzoi për shqyrtim në këtë gjykatë dekretin e presidentes Vjosa Osmani të premten për ta shpërndarë Kuvendin.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44, 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 9 mars 2026, njëzëri VENDOS I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Gjykata urdhëroi, në pikën e dytë të vendimit, që masa e përkohshme “hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.
Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pasi Presidenti i ri nuk u zgjodh deri në fund të ditës së enjtë, më 5 mars.






