Këngëtarja dhe aktorja e njohur Selena Gomez ka ndarë një urim të veçantë për bashkëshortin e saj, producentin muzikor Benny Blanco, me rastin e ditëlindjes së tij.
Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, artistja publikoi të dielën, më 8 mars, një seri fotografish të ndryshme së bashku me partnerin e saj. Në galerinë e ndarë me ndjekësit përfshiheshin momente nga ceremonia e tyre e dasmës, por edhe çaste të thjeshta nga përditshmëria që kalojnë së bashku.
Në mbishkrimin që shoqëronte postimin, këngëtarja nuk kurseu fjalët e dashurisë për të.
“Gëzuar ditëlindjen dashuria ime. Të dua me gjithë zemër”, shkroi ajo.
Historia e dashurisë mes Selena Gomez dhe Benny Blanco ka tërhequr shpesh vëmendjen e mediave dhe fansave. Dyshja nisën lidhjen e tyre në qershor të vitit 2023, ndërsa marrëdhënia e tyre u bë edhe më serioze kur u fejuan në dhjetor të vitit 2024.
Pas fejesës, çifti kurorëzoi dashurinë në shtator të vitit 2025 me një ceremoni martese të mbajtur në Santa Barbara. Që prej asaj kohe, ata kanë ndarë herë pas here me publikun momente nga jeta e tyre si çift, duke treguar se lidhja e tyre vazhdon të jetë e fortë dhe plot dashuri.






