Bebe Rexha një artiste e njohur për stilin e saj të veçantë muzikor, ka zbuluar historinë personale dhe kuptimin emocional që mbart kënga e saj më e re, “New Religion”.
Kjo këngë ka një rëndësi të veçantë për Bebe-n, e cila e përshkruan si një “letër dashurie për muzikën”. “New Religion” është pjesë e albumit të saj të ri, “Dirty Blonde”, duke shënuar një epokë të re në karrierën e artistës. Me njoftimin e publikimit, Bebe ka ndarë se kjo periudhë e re nisi në një kohë shumë të vështirë për të:
“Kur fillova këtë epokë të re, isha në një periudhë shumë të errët. Isha e frustruar, e zemëruar… dhe shumë e dëshpëruar. Ndihesha sikur isha në një kafaz dhe pavarësisht sa fort bërtisja, isha e bllokuar. Dhe sinqerisht nuk e dija se si do të arrija të dilja prej tij.”
Ajo shtoi se iu ktheu muzikës dance, e cila i dha ndjenjën e lirisë:
“Kur basi godet në gjoks dhe ti humb veten në muzikë, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Aty u ndjeva përsëri e lirë.”
Bebe Rexha shpjegoi më tej domethënien e këngës:
“’New Religion’ është letra ime e dashurisë për muzikën. Streha ime shpëtimi im në pistën e vallëzimit. Flet për të kujtuar se muzika ka qenë gjithmonë aty për mua, në çdo moment të mirë dhe në çdo moment të vështirë.”
Artistja gjithashtu shprehu mirënjohje për grupin legjendar Faithless, i cili i lejoi të përdorte një prej regjistrimeve më ikonike të muzikës dance në këngën e saj.







