Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion gjatë një kontrolli në një shtëpi të braktisur në komunën e Leposaviqit, pas pranimit të një informacioni për praninë e tyre në atë lokacion.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është zbuluar gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e veriut, ku njësitë policore kanë dalë në terren për të verifikuar informacionin e pranuar.
Pas pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë, një kallash, një pistoletë me dy karikatorë të zbrazët dhe 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192”, thuhet në njoftim.






