Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar se tre persona janë arrestuar në Kosovë si pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, i koordinuar nga EUROPOL.
Operacioni në vendin tonë është zhvilluar më 3 mars 2026 nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, në tri lokacione: Vushtrri, Obiliq dhe Ferizaj. Personat e ndaluar për 48 orë janë A.R., A.K. dhe R.H., të dyshuar për “hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik” dhe “vjedhje identiteti dhe kredencialesh”.
Sipas hetimeve, të dyshuarit gjatë periudhës 2023–2025 kanë përdorur njohuritë teknologjike për të siguruar në mënyrë të kundërligjshme të dhëna personale dhe financiare, të cilat më pas janë publikuar në platformën online LEAKBASE.IO për shitje dhe përfitim material.
Në cilësinë e provave, autoritetet kanë sekuestruar 3 laptopë, 5 shtëpiza kompjuteri, 6 telefona mobilë dhe 2 pajisje memorizuese.
Operacioni ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar policor OP LEAK, i koordinuar njëkohësisht në shtete si SHBA, Britani e Madhe, Australi, Gjermani, Rumani, Poloni, Portugali, Kanada, Malajzi, Greqi, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës rikujtojnë përkushtimin e tyre në luftën ndaj krimit kibernetik dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.






