-1.4 C
Pristina
Saturday, February 28, 2026

Pa dialog, Kosova rrezikon izolim politik dhe pengesa në BE, thonë njohësit

Njohës të çështjeve politike në Kosovë kanë vlerësuar rëndësinë e dialogut Kosovë–Serbi si të domosdoshëm për avancimin e agjendës evropiane dhe për shmangien e izolimit politik të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre vazhdimi i bisedimeve është kyç për stabilitetin politik dhe diplomatik të vendit, si dhe për respektimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

Analisti politik Artan Muhaxhiri, theksoi se Bashkësia Ndërkombëtare e sheh dialogun si mënyrën e vetme për avancimin e Kosovës në agjendën evropiane. Ai paralajmëroi se çdo vonesë apo bllokadë në dialog do të ndikojë direkt në rrugën eurointegruese të vendit.

“Po bashkësia ndërkombëtare është absolutisht e qartë në raport me dialogun. Pra dialogu është e vetmja mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë në agjendën evropiane. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër, asnjë qasje tjetër, asnjë opsion tjetër që Kosova veçanërisht të ketë ndonjë përparim, ndonjë progres dhe çdo vonesë, çdo bllokadë e dialogut është në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe bllokadë dhe vonesë e rrugës evropiane të Kosovës”, tha ai.

Ai gjithashtu nënvizoi se kthimi i palëve në tavolinën e bisedimeve është kërkesë e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar.

“U pa që në të gjitha urimet edhe nga presidenti Macron, edhe nga kancelarja Merkel, edhe nga të gjithë, kryefjala ishte vazhdimi i dialogut edhe kthimi në tavolinën e bisedimeve. Pra nuk ka asnjë mënyrë tjetër për zoti Kurti që ta shpërbëjë këtë izolim pa dialog. Deklaratat kështu populiste, propagandistike për konsum të brendshëm janë diçka tjetër, mirëpo pa u rikthyer në tavolinën e bisedimeve në Bruksel edhe zoti Kurti edhe Kosova do të jenë të izoluar politikisht”, tha ai.

Politologu Albinot Maloku tha se dialogu tani do të fokusohet në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023, duke përfshirë edhe aneksin.

“Kemi kryenegociatorin dhe dialogu do të bëhet në atë të implementimit të pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe në Ohër në vitin 2023, flasim edhe për aneksin. Tani, në këtë rrafsh unë konsideroj që tani do të kemi dialog për jetësimin, implementimin e marrëveshjeve të arritura. Këtë e kërkon në një formë ose tjetër edhe faktori ndërkombëtar, e kërkon posaçërisht Bashkimi Evropian që e ka të angazhuarin e vet lehtësuesin dhe në instancë të fundit ky dialog po bëhet me lehtësimin e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Ai vlerësoi se për këtë proces ka një angazhim të posaçëm nga Bashkimi Evropian si lehtësues dhe nënvizoi se suksesi i dialogut është i lidhur drejtpërdrejt me progresin eurointegrues të Kosovës dhe Serbisë.

Ai shtoi se kryenegociatori i ri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka potencial të zbusë tensionet dhe të bëjë procesin e implementimit më të pranueshëm.

“Dialogu është, sidomos me marrëveshjen e fundit ku edhe anëtarësimi në BE si për Serbinë si për Kosovën është i ndërlidhur fuqishëm me çështjen e dialogut dhe në këtë rrafsh, me suksesin në dialog. Dhe në këtë rrafsh unë konsideroj që nuk ka alternativë më të veçantë sesa dialogu për arsye se është fakt. Dhe në këtë rrafsh dua të besoj dhe shpresoj që edhe Republika e Kosovës me kryenegociatorin e ri, zotëri Glauk Konjufca, që në gjykimin tim, duke u dëshmuar në vazhdimësi si një zbutës i mirë në këtë pozicion, dua të besoj që do të shkëlqejë për të zbutur, qetësuar edhe shumë nga ato premtime jashtëzakonisht të agravuara të kryeministrit të vendit në mënyrë që të jetë edhe implementimi më i pranueshëm për në mënyrën edhe të narrativës, shpjegimit që mund ta ketë në të ardhmen kryeministri i vendit në ato situata ku shpjegimi për të ka qenë ndryshe, tani do të jetë ndryshe për arsye se do të kemi të bëjmë me jetësimin e marrëveshjes”, tha ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA