Numërimi mbrapsht për sezonin e tretë të Wednesday ka nisur zyrtarisht, pasi xhirimet janë tashmë në zhvillim.
Seriali i dedikuar personazhit ikonë Wednesday Addams, pjesë e universit të The Addams Family, u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2022 në platformën Netflix dhe brenda pak javësh u kthye në një fenomen global.
I realizuar nga regjisori i njohur Tim Burton, seriali arriti një sukses të jashtëzakonshëm dhe vazhdon të mbajë vendin e parë si më i ndjekur në gjuhën angleze në historinë e Netflix, me afro dy miliardë orë shikimi në total.
Çfarë ndodhi në sezonin e dytë
Tre vite pas premierës së sezonit të parë, sezoni i dytë, i publikuar në verën e vitit 2025 në dy pjesë, dha përgjigje për shumë nga misteret kryesore, por njëkohësisht la edhe disa pikëpyetje të rëndësishme.
Fati i Enid, e vërteta rreth gjyshes Hester, e ardhmja e Tyler si Hyde dhe planet e fshehta të tezes Ofelia mbeten ende të paqarta, duke shtuar pritshmëritë për sezonin e ri.
Emra të rinj në kast dhe surpriza të mëdha
Sezoni i tretë do të sjellë disa shtesa të rëndësishme në kast, përfshirë Chris Sarandon, Noah Taylor, Oscar Morgan dhe Kennedy Moyer.
Një nga surprizat më të mëdha është pjesëmarrja e Winona Ryder si yll i ftuar, ndërsa Eva Green pritet të interpretojë Morticia Addams.
Krijuesit e serialit, Al Gough dhe Miles Millar, shprehën entuziazmin e tyre për rikthimin në Akademinë Nevermore.
Ata premtuan personazhe të rinj, sekrete të errëta dhe zhvillime që do të thellojnë më tej historinë e familjes Addams, duke paralajmëruar fansat se sezoni i ri do të jetë edhe më intensiv.






