Zv/kryeministri i parë, njëkohësisht edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha që negociatat për zgjedhjen e Presidentit po vijojnë dhe zgjidhja, sipas tij, do të varet nga vullneti i opozitës.
“Bisedat po vazhdojnë mes kryeministrit dhe partive politike. Ka takuar kreun e LDK-së, një ftesë ia ka dërguar edhe PDK-së. Ata kanë kërkuar disa sqarime shtesë, të cilat me siguri që kryeministri do u përgjigjet shpejt. Ka përpjekje për të shkuar në një marrëveshje”, tha Konjufca.
Sipas tij, gjithçka “varet nga vullneti i opozitës”.
Vetëvendosja nuk insiston patjetër që të ketë emrin e saj në zgjedhjen e Presidentit. Nëse nuk ka pasur vullnet, është vërtetuar në seancë ku nuk kanë ardhur. Kjo tregon se ata kërkojnë diçka tjetër, por mirë është të na e thonë se çfarë kërkojnë”, shtoi Konjufca për A2.
Kosova ka hyrë në 15 ditët vendimtare për zgjedhjen e Presidentit, sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse përgjatë këtyre dy javëve nuk arrihet marrëveshje mes partive, do të shkohet sërish në zgjedhje.
Deri më tani ka pasur vetëm një takim për çështjen e presidentit, mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kurti paralajmëroi se do ta ftojë për takim edhe kreun e PDK-së, Bedri Hamza, por ky i fundit ftesë ende nuk ka marrë.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar për Reporteri.net, se nuk do të marrin pjesë në takim pa letër zyrtare.
E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka përsëritur gjatë së shtunës se partia e tij është kundër që një partie t’i takojnë tri pozicionet shtetërore, presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit.
i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Më 4 prill, Vjosa Osmanit i ka përfunduar mandati presidencial. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.






