Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë plot 7 ndryshime në kabinetin qeveritar këtë të enjte, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministrave.
Ndër largimet vihen re tre emra që ikin nga kabineti qeveritar pa asnjë post: Belinda Balluku nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Elisa Spiropali nga posti i ministres së Jashtme dhe Pirro Vengu nga posti i ministrit të Mbrojtjes.
Ndërkohë në listën e të emëruarve vihen re katër prurje të reja: Ferit Hoxha, Enea Karakaçi, Ermal Nufi si dhe Eriona Ismaili.
Nëse tre të parët janë tërësisht prurje të reja, Ermal Nufi më parë ka qenë pjesë e kabinetit, si zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
Ferit Hoxha emërohet Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ferit Hoxha i cili më parë ka mbajtur rolin e ambasadorit të Shqipërisë në BE vjen pikërisht në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin.
Ai u diplomua në vitin 1988 në Fakultetin e Gjuhëve te Huaja; Gjuhë dhe Kulture Frënge, Universiteti i Tiranës, Shqipëri. Ai gjithashtu është diplomuar edhe në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael”, Hagë. Eksperiencën e parë si diplomat ai e nisi në vitin 1991, në Ministrinë e Jashtme.
Më pas në vitin 1998 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, shef i Misionit të RSH-së pranë Bashkimit Evropian, Bruksel, post të cilin e mbajti deri në vitin 2001. Më pas në vitet 2001-2006 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së pranë Republikës Franceze, Paris dhe në vitet 2003-2006 ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën Portugeze, me rezidencë në Paris. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2009 emërohet ambasador i Shqipërisë në OKB, por është gjithashtu i akredituar si ambasador edhe për Kubën.
Enea Karakaçi emërohet Ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë
Sakaq, postin e Belinda Ballukut, si ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë e merr Enea Karakaçi, i cili ka një eksperiencë të gjerë në sektorin energjitik. Më përpara ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këtë pozicion ai kishte për detyrë zhvillimin e politikave dhe strategjive për energjinë në përgjithësi, energjinë e rinovueshme, naftën dhe gazin, mineralet dhe efiçiencën energjetike në Shqipëri.
Formimi i tij është ligji për çështje energjie. Karakaçi i mori përvojat e para në Entin Rregullator të Energjisë, i cili është një autoritet i pavarur rregullator për sektorin energjetik shqiptar. Më vonë u punësua në Ministrinë e Energjetikës, ku dhe mbajti poste të ndryshme.
Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 2009 dhe kreu Masterin për Drejtësi në Universitetin e Amsterdamit në 2010-n, për Ligjin e Bashkimit Evropian.
Ermal Nufi emërohet ministër i Mbrojtjes
Një tjetër prurje e re është Ermal Nufi. Ai merr postin si ministër i Mbrojtjes, duke larguar nga kabineti qeveritar Pirro Vengun. Nufi më parë ka qenë zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
Nufi ka përfunduar studimet e nivelit “Master në drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, në vitin 2010“.
Pas diplomimit, Nufi ka punuar si konsulent ligjor në sektorin privat dhe atë të organizatave jofitimprurëse, vendase dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, ai ka mbajtur edhe pozicionin e pedagogut të jashtëm në të drejtën civile dhe tregtare pranë Institutit të Studimeve Strategjike dhe Trajnimeve. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021, Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare.
Eriona Ismaili emërohet Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Toni Gogun si ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin e zëvendëson një tjetër prurje e re, Eriona Ismaili. Kjo e fundit është deputete e qarkut të Vlorës, e zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vitit 2025.










