Instituti i Kosovës për Drejtësi ka njoftuar se ka dorëzuar të enjten padi në Gjykatën Supreme të Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar shfuqizimin e disa dispozitave të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2024 – Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore.
Padia, siç thuhet, kundërshton specifikisht pikën 4 të Shtojcës 3 dhe pikën 5 të Shtojcës 4 të këtij Udhëzimi Administrativ, të cilat parashohin obligimin për pagesën prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç.
Në padi thuhet se IKD konsideron se këto pika janë të kundërligjshme, pasi që përmes një akti nënligjor është krijuar një kategori e re tarifimi që nuk gjen bazë në Ligjin për Shëndetësi. Sipas këtij ligji, bashkëpagesa lidhet drejtpërdrejt me shfrytëzimin e një shërbimi shëndetësor nga pacienti. Ndërsa, personi shoqërues nuk është përfitues i ndonjë shërbimi mjekësor, nuk i nënshtrohet trajtimit, diagnostikimit apo procedurave klinike dhe për rrjedhojë, nuk mund të konsiderohet “shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore” në kuptim të ligjit.
Specifikisht, IKD në padi ndër të tjera potencon se “në mungesë të një dispozite të qartë në ligj që e njeh qëndrimin e shoqëruesit si “shërbim shëndetësor”, Ministria nuk ka bazë ligjore që ta kualifikojë atë si objekt bashkë-pagese përmes një akti nënligjor. Për rrjedhojë, paditësi konsideron se pika 4 e Shtojcës 3 dhe pika 5 e shtojcës 4 e Udhëzimit Administrativ të atakuara me këtë padi, janë të kundërligjshme, sepse formulimi në këto pika tejkalon autorizimin e dhënë nga ligji, duke e zgjeruar konceptin e “shërbimit shëndetësor” përtej asaj që është përcaktuar shprehimisht nga Ligji për Shëndetësi.
Në këtë drejtim, paditësi konsideron se një akt nënligjor nuk mund të krijojë kategori të reja tarifimi që nuk gjejnë bazë në ligjin primar, sidomos kur ato ndikojnë në ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Në këtë rast, mungon edhe baza materiale për ta konsideruar qëndrimin e shoqëruesit si shërbim, e gjithashtu edhe lidhja e nevojshme juridike midis tarifës dhe një veprimtarie shëndetësore të ofruar nga institucioni publik ndaj atij personi”.
Për më tepër, IKD po ashtu në padi ka përmendur edhe reagimin publik të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) përmes së cilës ky i fundit ka sqaruar se kjo pagesë nuk aplikohet për pacientin, por lidhet me shfrytëzimin e hapësirave dhe resurseve spitalore nga persona që nuk janë pacientë.
Në këtë kuptim, IKD konsideron se Ministria ka tejkaluar kompetencat e saj, duke zgjeruar përmes aktit nënligjor konceptin e “shërbimit shëndetësor” përtej asaj që është përcaktuar qartë në ligjin primar.
IKD e ka ngritur këtë padi në cilësinë e mbrojtësit të interesave të gjera të publikut, në përputhje me Ligjin për Konfliktet Administrative. Në padi, IKD ka vlerësuar se tarifa prej 3 euro në ditë për shoqëruesit cenon të drejtat e qytetarëve dhe krijon barrë financiare shtesë për familjet, sidomos në një sistem shëndetësor ku prania e shoqëruesit shpesh është domosdoshmëri faktike, pasi që, siç thuhet në padi, në praktikën aktuale, qëndrimi i familjarëve përtej orarit të vizitave nuk është zgjedhje e lirë, por nevojë reale për të ofruar mbështetje bazike për pacientët.






