Sot, komandanti KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, priti në një takim drejtoreshën e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor brenda Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Zuzana Michalcová Šutiaková.
Takimi u zhvillua në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City”, në Prishtinë.
Në njoftimin e KFOR-it bëhet e ditur se takimi i ofroi komandantit një mundësi të vlefshme për të përshkruar situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.






