Një thirrje për ndihmë ka ardhur nga Mitrovica, ku babai i ri Besmir Azemi po përballet me sfidën më të rëndë të jetës së tij.
Përmes një postimi drejtuar familjarëve, miqve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, Azemi ka bërë të ditur se vajza e tij e sapolindur ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka nevojë urgjente për trajtim jashtë vendit.
Sipas rrëfimit të tij, vogëlushja erdhi në jetë të premten, më 20.02.2026. Por gëzimi i prindërve u shndërrua shpejt në ankth, pasi mjekët konstatuan një problem serioz në zemër – një çrregullim në arterien kryesore që furnizon trupin me gjak.
Aktualisht, foshnja ndodhet në repartin e Neonatologjisë në kujdes intensiv (reanimacion), ndërsa mjekët kanë rekomanduar që trajtimi të kryhet urgjentisht jashtë vendit, pasi çdo minutë konsiderohet vendimtare për jetën e saj.
Familja tashmë ka siguruar raportet mjekësore dhe është në proces të përgatitjes së dokumentacionit përcjellës dhe profaturës nga spitali pritës.
Megjithatë, sfida më e madhe mbetet financiare. Sipas familjes, shuma e nevojshme për trajtim dhe shpenzime përcjellëse arrin në rreth 100 mijë euro – një shumë e papërballueshme për ta në këtë moment.
Situata bëhet edhe më urgjente nga fakti se familja ka vetëm 48 orë kohë për ta dërguar vajzën për trajtim.
Babai i vogëlushes u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që kanë mundësi të ndihmojnë me çfarëdo shume, duke theksuar se çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë dallimin.
Të dhënat për ndihmë:
Emri: Besmir Azemi
Xhirollogaria: XK052027000159181672
Familja shpreh mirënjohje të thellë për çdo ndihmë, lutje dhe shpërndarje të këtij apeli.







