Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari –Lila ka nënshkruar kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pas miratimit të tij në Kuvendin e Republikës, hapet rruga për krijimin e Fondit për Inovacion.
“Ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformave që burojnë nga Plani i Rritjes me BE-në. Në ditët në vijim do të organizohet një forum diskutimi me aktorë kyç, për të adresuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me Projektligjin”, ka shkruar Kusari-Lila.
Tutje ajo ka thënë se me politika që kanë në fokus ndërmarrjet e reja dhe ato ekzistuese, si dhe zhvillimin e inovacionit dhe kreativitetit, do të ofrohet më shumë mbështetje për inovacionin, ndërmarrësinë dhe ekonominë kreative.
Po ashtu Kusari-Lila përmes një postimi tjetër ka thënë se se ministri janë urë lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat.
Kusari-Lila tregoi se kanë filluar takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është ura lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat. Angazhimi ynë është që politikat pro-biznes të mos mbesin vetëm në letër, por të përkthehen në masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Në këtë kuadër, kemi nisur takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave”, ka shkruar ajo.
Tutje ministrja ka theksuar se një ditë më parë ka takuar përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
“Me drejtorin Kushtrim Ahmeti dhe përfaqësuesit e kësaj dhome u dakorduam për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në adresimin e barrierave për bizneset, rritjen e prodhimit vendor dhe avancimin e konkurrueshmërisë. Theksova rolin kyç që kjo dhomë ka si përfaqësuese e interesave të sektorit privat dhe si partnere në ndërtimin e politikave që nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh Kusari-Lila.
Gjatë këtij takimi ajo ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për fuqizimin e bizneseve private, me synim rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe krijimin e një klime më të favorshme për ndërmarrësi në Republikën e Kosovës.






