Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një seri takimesh me liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Të hënën, Albin Kurti, ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e një ditë më herët edhe atë të PDK-së, Bedri Hamza. Për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë mbetur edhe tetë ditë. Kurti, ka paralajmëruar intensifikim të bisedimeve për të gjetur zgjidhje për çështjen e Presidentit, pas takimeve që zhvilloi me kreun e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.
“ Në vijim do të intesifikojmë bisedimet në mënyrë që ta kemi një zgjidhje për çështjen e presidentit, për shkak se përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë që pas atyre katër palë zgjedhjeve që i patëm, nuk do të duhej që edhe në vitin 2026, gjysmën e parë të na e marrin zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Kurti tha se do të përpiqen maksimalisht që t’i evitojnë zgjedhjet e reja. Ai tha se nuk ka përafrim më shumë me asnjërin nga liderët e partive opozitare, por bëri një llogaritje të numrave me LDK’në, për çka tha se nuk ëshyë një formulë e sigurtë për ta tejkaluar këtë çështje.
“Edhe Vetëvendosje me LDK’në nuk është një formulë e sigurtë që ne ta tejkalojmë këtë çështje dhe të mos detyrohemi që të shkojmë sërish në zgjedhje. Nuk mund të them që kam përafrim më shumë me njërin ose tjetrin, por e bëra aritmetikën e numrave që është një fakt objektiv mes nesh që duhet trajtuar me seriozitet maksimal. Me fjalë të tjera do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të mos zgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.
Megjithatë, ai u shpreh optimist se do të gjendet zgjidhje.
“Mua ajo që më bën optimist ësstë konstruktiviteti i atmosferës në këto takime, fakti që e kuptojmë plotësisht njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë që nuk shoh zell për zgjedhje të reja. Gatishmëria ekziston, por zell për zgjedhje të reja nuk shoh. Këto elemente më bëjnë optimist që në këto ditët e pakta të mbetura do të mund të gjejmë zgjidhje”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
Fillimisht, mbrëmjen e së dielës, Kurti u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza. Ky i fundit theksoi se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha forcave politike.
“Si subjekt opozitar, nuk do të jemi pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese,” deklaroi Hamza, duke bërë thirrje për reflektim dhe shmangie të kalkulimeve afatshkurtra partiake.
Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se në takim me Kurtin janë diskutuar dy rrugë të mundshme: arritja e një konsensusi të gjerë politik brenda nëntë ditëve të mbetura nga afati kushtetues, ose një marrëveshje klasike politike mes partive.
“Dakordimi i përgjithshëm është se ka vetëm dy rrugë: ose konsensus politik mes faktorëve të vendit, ose marrëveshje politike mes partive. Në të dyja rastet duhen dy të tretat e votave,” tha ai, duke shtuar se palët do të vazhdojnë takimet në ditët në vijim.
Mandati i presidentes Osmani përfundon në fillim të prillit, ndërsa sipas afateve kushtetuese, presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 4 mars. Osmani ka shprehur ambicien për një mandat të dytë pesëvjeçar, por ende nuk është e qartë nëse gëzon mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.






