Që nga fundi i vitit 2021, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kishin paralajmëruar Ukrainën dhe vendet evropiane për pashmangshmërinë e luftës.
Agjencitë e inteligjencës të dyja vendeve panë dhjetëra mijëra ushtarë rusë në kufi përmes imazheve satelitore, një rritje të grupeve pro-ruse në Ukrainë, dhe mesazhe të kapura ushtarake që sugjeronin një pushtim të afërt.
Në Paris, Berlin dhe Kiev, shumë besonin se grumbullimi i trupave rusë në kufi ishte një truk, jo përgatitje për një pushtim, raporton theguardian.
Për shumë shërbime inteligjente evropiane, pengesa psikologjike ishte bindja se presidenti rus, Vladimir Putin ishte një aktor racional dhe dukej e pamundur që ai të merrte një hap kaq të rrezikshëm.
Në gjysmën e parë të janarit, amerikanët morën informacione më të detajuara – forcat ruse priteshin të sulmonin Ukrainën nga disa drejtime, përfshirë nga Bjellorusia, me një zbritje në Hostomel pranë Kievit për të marrë kryeqytetin, si dhe një plan për të vrarë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn.
Drejtori i CIA-s udhëtoi urgjentisht në Kiev për të dorëzuar këto informacione, por lideri ukrainas i injoroi paralajmërimet.
Presidenti i Ukrainës kishte frikë se paniku do të shkatërronte ekonominë. Në thelb, ai nuk i besonte amerikanëve. Kjo ishte pjesërisht për shkak se Perëndimi nuk fliste me një zë të vetëm.
“Britanikët dhe amerikanët thanë se lufta ishte e pashmangshme, ndërsa francezët dhe gjermanët thanë, ‘Mos i dëgjoni, kjo është e pavërtetë,’” tha një zyrtar i lartë ukrainas. /Telegrafi/






