Të paktën 50 njerëz u vranë dhe disa gra e fëmijë u rrëmbyen, pasi disa burra të armatosur sulmuan një fshat në shtetin veriperëndimor nigerian, Zamfara, i tha të premten agjencisë “Reuters” një ligjvënës shtetëror.
Hamisu A. Faru, ligjvënës që e përfaqëson vendbanimin Bukkuyum, tha se sulmuesit e bastisën fshatin Tungan Dutse rreth orës 17:00 të enjten deri rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit të së premtes, duke djegur ndërtesa e duke i qëlluar me armë banorët që mundoheshin të iknin.
“Ata kanë qenë duke lëvizur nga një fshat te tjetri… duke lënë të vdekur të paktën 50 njerëz” – tha përmes telefonit Faru.
Ai shtoi se numri i viktimave të rrëmbyera nuk është përcaktuar ende. Një zëdhënës i policisë shtetërore në Zamfara nuk iu përgjigj thirrjeve për koment.
Abdullahi Sani, 41 vjeç, banor i fshatit Tungan Dutse, tha se tre anëtarë të familjes iu vranë në sulm.
“Askush nuk fjeti dje, të gjithë jemi në dhimbje” – tha ai.
Një ditë më parë, banorët i kishin kontaktuar forcat e sigurisë dhe autoritetin lokal, kur kishin parë më shumë se 150 motoçikleta me burra të armatosur, por paralajmërimi u shpërfill, tha Sani.






