Fragmente xhami të modifikuar me rreze lazer mund të jenë “hard disqet” e së ardhmes për arkivimin e të dhënave. Ruajtja e informacioneve në sasi të mëdha dhe siguria e tyre është e garantuar për të paktën 10 mijë vite, ndryshe nga pajisjet aktuale që degradohen pas disa vitesh apo dhjetëvjeçarësh.
Teknika ka rezultuar mjaft efikase gjatë eksperimenteve, ku protagonist është xhami, mbi të cilin është përdorur një lazer për kodifikimin në brendësi të materialit të pikselave tredimensionale, njësi të quajtura “voxel”.
Çdo voxel mund të memorizojë 1 bit të dhënash dhe sistemi ka kapacitet të shkruajë 65.9 milionë bit informacione në sekondë, ndërsa çdo mm³ xham mund të magazinojë 1.59 miliardë bit. Pra, një aftësi arkivimi e barabartë me rreth 2 milionë libra të shtypur ose 5 mijë filma me definicion të lartë.
Sistemi është rezistent ndaj ujit dhe lagështirës, ndaj luhatjeve të temperaturave dhe ndërhyrjeve elektromagnetike.
Eksperimentet janë zhvilluar edhe për të vlerësuar kohëzgjatjen e këtij sistemi, i cili është quajtur “Silica”, dhe rezulton se të dhënat qëndrojnë të lexueshme deri në 10 mijë vite.
Studimi është kryer nga një bashkëpunim i Microsoft Research Cambridge në Britaninë e Madhe dhe është publikuar në revistën shkencore prestigjioze “Nature”.
Klan News






