Edhe pse herën e parë u përjashtua nga gara për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili përfundoi një mandat pesëvjeçar në këtë pozitë, ka konkurruar sërish.
Siç merr vesh televizioni për pozitë të guvernatorit kanë konkurruar edhe katër kandidatët, të cilët ishin në listën e ngushtë për këtë pozitë në konkursin e parë.
Bëhet fjalë për Nexhat Kryeziun, i cili kishe qenë edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ahmet Ismailin i cili kishe qenë drejtor i Thesarit të Shtetit në kohën kur kishte ndodhur zhdukja e 2 milionë eurove, Lulzim Ismajlin dhe Shkendije Himajn të cilët kishin qenë pjesë e BQK-së me pozita të ndryshme.
Por, pavarësisht kësaj, sërish ka skepticizëm nëse në krye të BQK-së do të përzgjidhet i duhuri.
“Që nga fillimi ka pasur dyshime që Qeveria po përgatitet që ta vendosë në krye të këtij institucioni personin e parapëlqyer dhe dyshoj që edhe ky konkurs do të jetë i manipuluar ashtu siç ka qenë edhe i pari”, tha gazetari dhe analisti, Zekrija Shabani.
Për dallim nga konkursi i kaluar ku kishin aplikuar 17 kandidatë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, në konkursin e dytë kanë aplikuar vetëm 7.
Ndërkaq, lista do të kualifikohet nga ana e panelit për përzgjedhjen e kandidatëve, e më pas ajo do t’i dërgohet Kuvendit, ku edhe do të votohet vetëm për një individ. Miratimi dhe emërimi përfundimtar i guvernatorit bëhet nga presidentja. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: