Humbja e shqisës së të nuhaturit mund të jetë tregues më i saktë i COVID-19 sesa kollitja apo temperatura, thuhet në një studim të ri.
Një studim nga University College London (UCL), i realizuar me 590 persona që kishin humbur shqisën e të nuhaturit apo të shijuarit në fillim të vitit, ka gjetur se 80 për qind prej tyre kishin antitrupa të koronavirusit. Nga këta, 40 për qind nuk kishin përjetuar simptoma të tjera, shkruan BBC.
Megjithatë, studimi përfshiu vetëm persona me simptoma të buta. Shenjat se humbja e nuhatjes dhe shijes mund të jenë simptoma të COVID-19 nisën të raportohen nga prilli dhe u shtuan në listën zyrtare të simptomave në mes të majit, transmeton KOHA.
Sipas udhëzimeve aktuale, çdo person që humb ose vëren ndryshim në shqisën e nuhatjes apo shijes duhet të vetizolohet dhe të testohet.
Autorja kryesore e studimit, Rachel Batterham nga UCL, thekson se kollitja dhe temperatura vazhdojnë të konsiderohen simptomat kryesore që duhet të gjurmohen. Ajo rekrutoi pjesëmarrësit mes 23 prillit dhe 14 majit, përmes katër kirurgëve në Londër, duke përfshirë ata që kishin raportuar humbje të nuhatjes ose shijes në katër javët e para.
Të gjithë pjesëmarrësit u testuan për antitrupa dhe katër nga pesë rezultuan pozitivë, duke treguar se kishin qenë të infektuar më herët me COVID-19.
Studiuesit theksojnë se, edhe pse jo të gjithë pacientët me koronavirus e humbin nuhatjen, nëse kjo ndodh, gjasat janë të larta që shkaku të jetë infektimi me COVID-19.
Zbulimet nënvizojnë rëndësinë e vëmendjes ndaj çdo ndryshimi në nuhatje apo shije, veçanërisht nëse personi nuk arrin të nuhasë aroma të zakonshme si parfumi, pasta e dhëmbëve, zbardhuesi apo kafeja.






