Platforma YouTube zyrtarisht konfirmoi se problemet teknike që gjatë mëngjesit e kanë pamundësuar qasjen në platformë në të gjithë botën janë zgjidhur.
Përdoruesit në mbarë botën përballeshin me një problem të pazakontë: kur hapnin aplikacionin ose faqen e YouTube, në vend të përmbajtjes shfaqeshin ekrane bosh, mesazhe gabimi si “Something went wrong” ose ngarkim i pafund.
Ekipi i YouTube, përmes llogarisë zyrtare “TeamYouTube”, njoftoi se shkaku i problemit ishte një defekt në sistemin e rekomandimeve (recommendation system).
If you’re having trouble accessing YouTube right now, you’re not alone — our teams are looking into this and will follow up here with updates: https://t.co/7iTU5S9AgT
— TeamYouTube (@TeamYouTube) February 18, 2026
Ky defekt teknologjik pengoi shfaqjen e videove në mënyrë të duhur në pjesë të ndryshme të platformës, përfshirë faqen kryesore, aplikacionin për celularë, YouTube Music, YouTube Kids dhe YouTube TV – ku disa përdorues hasën edhe vështirësi në hyrje.
Pas disa orësh pasigurie, YouTube konfirmoi përditësimin e fundit duke thënë se problemi është riparuar dhe të gjitha platformat tani funksionojnë normalisht.
Gjatë ndërprerjes, shumë përdorues u drejtuan te rrjeti social X (ish-Twitter) për të kuptuar se çfarë po ndodhte, dhe disa vunë re se videot mund të shikoheshin ende përmes lidhjeve të drejtpërdrejta ose listave të njoftimeve, edhe pse faqja kryesore ishte jashtë funksionit.
Tani të gjitha shërbimet janë rikthyer në kapacitet të plotë, dhe përdoruesve u rekomandohet të rifreskojnë aplikacionet ose faqet nëse ende shfaqen mesazhe të vjetra gabimi.






