Përkundër se tashmë është hedhur shorti sa i përket rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe Prishtina nuk ishte pjesë e tij për shkak se nuk është licencuar për garat evropiane dhe vendin e tyre e ka zënë Dukagjini, drejtuesit e skuadrës bardh e kaltër janë ende optimistë se do të luajnë në këtë kompeticion.
Prishtina nuk ka marr licencën për shkak të problemeve financiare dhe borxheve që ka ndaj disa lojtarëve dhe situata e tyre po shqyrtohet nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS), nga i cili end nuk është marr ndonjë vendim.
Por, Drejtori Gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani, thotë se fakti që tashmë është hedhur shorti nuk paraqet ndonjë problem sepse nëse Prishtina e fiton rastin në KAS, atëherë është çështje teknike që Prishtina të marr vendin e Dukagjinit në Ligën e Konferencës.
“Ankesa është në KAS, janë afatet ligjore, minimale që duhet të respektohen në KAS, dorëzimi i ankesës, zgjedhja e arbitrit, të gjitha ato janë afate që duhet respektuar. Federata do të na ndihmonte nëse do ta kishte caktuar arbitrin në afat më të shkurtër, por besoj që do ta shfrytëzojnë maksimumin kohor. Fakti që është hedhur shorti nuk ndikon në epilogun final. Nëse fitohet në KAS rasti, ose nëse KAS-i vendos që Prishtina është dashur të licencohet në bazë të kritereve dhe kushte me të cilat ka aplikuar në atë kohë federata, atëherë është çështje teknike, zëvendësohet emri dhe vazhdohet”, tha Osmani.
Osmani më tutje ka bërë të ditur për KosovaPress se kanë kontaktuar me UEFA-në dhe nga ana e tyre iu është konfirmuar se nëse licencohen, do të marrin vendin e Dukagjinit për të luajtur në Ligën e Konferencës.
“Këtë na e ka konfirmuar edhe UEFA dje, sepse kemi pasur komunikim edhe me UEFA-në, i kemi njoftuar paraprakisht për situatën, kështu që besoj që nëse KAS-i vendosë, atëherë ajo është punë e kryer, zëvendësohet emri…Është hera e parë që kemi përvojë të tillë me KAS, sidomos me zyrën e KAS-it në Kosovë, sepse me KAS-in në Lozanë kemi pasur edhe raste të tjera. Unë mendoj që nëse arbitrat e marrin parasysh situatën, zhvillimet dhe aplikimin e rregullave siç është bërë për të gjitha klubet, unë jam shumë optimistë që do të licencohemi.”, ak thënë Osmani.
Nga burime brenda Federatës së futbollit të Kosovës, KosovaPress mëson se vendimi që do të merret nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv, çoftë ai edhe për në favor të Prishtinës, nuk nënkupton që direkt rikthimin e Prishtinës në garat evropiane të sezonit të ardhshëm. Sipas këtyre burimeve, kjo pastaj do t’i takojë UEFA-s që të vendosë nëse klubi bardh e kaltër do ta zë vendin e Dukagjinit automatikisht.
KosovaPress ka dërguar e-mail në UEFA për të kërkuar sqarim rreth kësaj çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje nga ana e tyre.
Në shortin e tërhequr të martën, është mësuar se Dukagjini do të ballafaqohet me skuadrën Europa nga Gjibraltari në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe nëse Prishtina licencohet, atëherë mund zë vendin e skuadrës nga Klina në këtë kompeticion dhe të luaj pikërisht ndaj këtij kundërshtari.
Ndryshe, në edicionin 2022/23 të Superligës së Kosovës, Prishtina përfundoi në vendin e pestë, kurse Dukagjini në të katërtin, por meqenëse skuadra nga kryeqyteti e fitoi Kupën e Kosovës, atëherë siguron pjesëmarrjen në garat evropiane duke lënë jashtë skuadrën e vendit të katërt.