Mospjesëmarrja e LDK-së në procesin e votimit të Rezolutës së propozuar të PDK-së në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka nxitur reagime të shumta e akuza në drejtim të partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.
Lidhur me këtë ka folur deputeti i LDK-së, Anton Quni. Ai në një intervistë të shkurtër për Gazetën Express ka thënë kjo situatë është shfrytëzuar për ta goditur LDK-në politikisht, meqë sqaron se partia e tij ishte e gatshme ta përkrahte rezolutën nëse do të përfshihej edhe amandamenti i kërkuar nga LDK.
“Ishte një rast i shkëlqyer që të gjitha partitë shqiptare të unifikoheshin rreth një teksti që nderon luftën tonë çlirimtare, por edhe garanton se asnjë krim i pazbuluar nuk do të mbetet peng i agjendave politike.Përpjekja për ta paraqitur kushtëzimin tonë parimor si “mosperkrahje” është një tendencë e pastër për goditje politike. Megjithatë, për LDK-në, drejtësia nuk mund të jetë selektive”, ka thënë Quni.
Ai ka thënë se tejkalimi i pozicioneve të vjetra bëhet vetëm duke u ballafaquar me të vërtetën e plotë.
“Besojmë fuqishëm se tejkalimi i pozicioneve të vjetra arrihet vetëm duke u ballafaquar me të vërtetën e plotë. Ne jemi për një Kosovë ku drejtësia vepron mbi parimet e paanësisë dhe barazisë para ligjit për çdo qytetar”, ka potencuar deputeti i LDK-së.
Sipas Qunit, LDK s’ka qenë kundër Rezolutës dhe se ky ishte një keqkuptim që u tentua të mbillet në opinion.
“Përkundrazi, ne kemi qenë të gatshëm ta mbështesim atë, por kemi kërkuar që ky dokument të ishte gjithëpërfshirës dhe t’i përgjigjej nevojës për drejtësi të plotë në Kosovë. Për këtë arsye, ne kemi propozuar plotësimin e tekstit të rezolutës me amendamentin vijues:
“KËRKON nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare, për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të të gjitha vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovë, me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës mbi parimet e paanësisë dhe barazisë para ligjit.”, ka shtuar Quni.
Deputeti i LDK-së thotë se ky propozim i LDK-së fatkeqësisht s’gjeti përkrahjen e partive të tjera parlamentare.
“Ky propozim i yni, i cili synon fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe zbardhjen e së vërtetës pa dallim, fatkeqësisht nuk gjeti përkrahjen e partive të tjera parlamentare”, ka përfunduar ai.






