Aktorja Priyanka Chopra ka zbuluar se ka angazhuar truproja për të parandaluar që fansat ta filmojnë pa pëlqimin e saj, veçanërisht kur është me vajzën e saj të vogël.
43-vjeçarja, e martuar me këngëtarin Nick Jonas, me të cilin ka vajzën katërvjeçare, Malti, tha se nuk ka problem të takohet me fansat apo të bëjë fotografi, por shqetësohet shumë kur njerëzit e filmojnë fshehurazi.
E pyetur për truprojat që u panë pranë çiftit në një festë në Los Angeles, ajo tha për Variety se nuk e pengon kur njerëzit kërkojnë të bëjnë foto, por nuk dëshiron të filmohet pa pëlqimin e saj:
“Jam në rregull që njerëzit të më afrohen dhe të bëjnë foto, dhe ata e dinë që më pëlqen kur vijnë të flasin me mua. Truprojat ishin aty për t’u siguruar që të mos filmohem pa pëlqim. Kjo është gjëja që më shqetëson më shumë, tani që të gjithë kanë telefona. Kjo ndodh shpesh, sidomos me vajzën time. Jemi në park apo duke ngrënë akullore dhe papritur e shoh videon online. Siguria është për këtë arsye. Përndryshe, nuk më duhet. Askush nuk do të më vrasë”, tha Chopra.
Aktorja pranoi gjithashtu se ka një marrëdhënie të ndërlikuar me famën:
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shtytje-tërheqje me famën. E kam ndarë veten në dy pjesë: anën publike dhe anën personale”, shpjegoi ajo.
Deklaratat e saj vijnë pasi bashkëshorti i saj foli hapur për periudhën e vështirë që kaluan pas lindjes së vajzës së tyre, e cila erdhi në jetë përmes një nëne surrogate në janar të vitit 2022.
Në podcastin On Purpose, Jonas tregoi se Malti lindi para kohe dhe kishte nevojë për reanimim menjëherë pas lindjes. Ai shtoi se vajza qëndroi rreth 100 ditë në njësinë e kujdesit intensiv:
“Këta engjëj në kujdesin intensiv e reanimuan në atë moment dhe u kujdesën për të shumë shpejt, e intubuan dhe bënë gjithçka që duhej. Ishte koha e COVID-it, kështu që unë dhe gruaja ime bënim turne 12-orëshe në spital për tre muaj e gjysmë. Ende më duket sikur e ndiej erën e atij vendi”, rrëfeu Jonas.






