Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatja e mbrojtjes, Venkateswari Alagendra, ka vijuar me fjalën përfundimtare në rastin ndaj Jakup Krasniqi, duke kërkuar nga trupi gjykues që ta shpallë atë të pafajshëm.
Gjatë paraqitjes së saj, Alagendra deklaroi se në dokumentacionin e prokurorisë nuk ekziston asnjë dëshmitar i vetëm që pretendon se Krasniqi ka rrahur, keqtrajtuar apo torturuar ndonjë person, qoftë civil apo tjetër.
“Në dokumentacion nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Jakup Krasniqi ka rrahur, keqtrajtuar apo torturuar ndonjë person, qoftë ky civil apo person tjetër. Nuk ekziston as edhe një viktimë e vetme, as një person i vetëm nga qindra dëshmitarë të intervistuar nga prokuroria për shumë e shumë vite, që pretendon apo akuzon Krasniqin se i ka rrahur, abuzuar apo se ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar në çfarëdo trajte apo forme”, tha avokatja.






