Britney Spears ka nënshkruar një marrëveshje të madhe muzikore duke shitur të drejtat e katalogut të saj muzikor. Sipas dokumenteve ligjore të siguruara nga TMZ, këngëtarja ka shitur pjesën e saj të pronësisë së katalogut tek kompania botuese Primary Wave.
Shuma e saktë nuk është bërë publike, por burime pranë marrëveshjes e përshkruajnë atë si një “marrëveshje historike”, e krahasueshme me kontratën prej rreth 200 milionë dollarësh që Justin Bieber nënshkroi kur shiti muzikën e tij.
Marrëveshja, e firmosur më 30 dhjetor dhe e menaxhuar nga Cade Hudson, përfshin hite ikonike si “…Baby One More Time”, “Oops!… I Did It Again”, “Toxic”, “Gimme More”, “Womanizer”, “Lucky”, “Stronger” dhe shumë të tjera.
Britney i bashkohet një liste të gjatë artistësh të mëdhenj që kanë shitur katalogët e tyre vitet e fundit, përfshirë Bruce Springsteen, Bob Dylan, Paul Simon, Neil Young, Shakira, Sting dhe Stevie Nicks. Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Britney apo Primary Wave.








