Ministri i Financave, Hekura Murati ka shpjeguar se paga e 13-të, të cilën edhe e kishin premtuar do ta marrin punëtorët e sektorit publik të cilët kanë marrë 12 paga, ndërsa ata që sapo kanë filluar do të mund të përfitojnë nga kjo vetëm pasi të arrijnë tek paga e 12-të.
“Kjo parashihet që paga e 13-të vjen për ata që i kanë marrë 12 paga. Me fjalë të tjera, nëse dikush ka filluar rishtazi do ta marrë pagën e 1-të në vitin e ardhshëm. Kështu që kjo është e paraparë që paga e 13-të paguhet për punëtorët që marrin pagë nga buxheti i shtetit, por që kanë punuar së paku 12 muaj, para se të paguhet paga e 13-të”, tha ai.
Murati ka shpjeguar edhe çështjen e paraqitjes së pensionistëve që detyroheshin të paraqiteshin çdo gjashtë muaj.
“Në fakt po besoj që sqarimet e nevojshme janë dhënë, edhe ndryshimet e nevojshme ligjore janë bërë. Ministria e Financave dhe Transfereve ka dhënë sqarimin, vendimi i Gjykatës Supreme çfarë ka paraparë është lirimi nga paraqitja, apo anulimin e udhëzimit të nenit specifik në udhëzimin administrativ i cili kërkonte që edhe pensionmarrësit kontributiv të paraqiteshin gjë që nuk ishte në ligj. Paraqitja e kategorive të tjera siç është pensionistët bazik, është e paraparë në ligj, ajo nuk është shfuqizuar. Ajo çka Gjykata Supreme ka shfuqizuar ka qenë nen në udhëzimin administrativ që parasheh paraqitjen çdo 6 muaj të pensionistëve kontirbutiv”, shpjegoi ai./EO/






