10.5 C
Pristina
Thursday, February 12, 2026

Dixon mbron Veselin në Hagë: “Nuk ka prova për rol kriminal”

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po vijon paraqitja e deklaratave përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Sot, fjalën përmbyllëse e ka vazhduar mbrojtja e Kadri Veselit, e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Gjatë paraqitjes së tij, Dixon deklaroi se, sipas tij, ndaj Veselit nuk ka prova për krimet e pretenduara, duke theksuar se “lista e asgjësë” vazhdon. Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, ai u shpreh se nuk ekzistojnë urdhra të lëshuar jashtë vendit, raporte të inteligjencës, vendime apo emërime që do ta lidhin Veselin me ndonjë aktivitet kriminal në kuadër të kësaj çështjeje.

“Numri i urdhrave të lëshuara jashtë shtetit, raportet që lidhen me çështje të inteligjencës, vendimet e marra, emërimet e bëra, përfshirë edhe veprime ushtarake që nuk janë të paligjshme apo që nuk kanë të bëjnë me krimet e pretenduara në këtë rast apo me ndonjë element tjetër të ndërlidhur – asnjë! Lista e asgjësë vazhdon”, deklaroi ai.

Sipas Dixon, këto elemente nuk arrijnë të provojnë se Veseli ka pasur rol në ndonjë ndërmarrje kriminale. Ai theksoi se argumentet e paraqitura nga Prokuroria janë kryesisht rrethanore dhe, sipas tij, të pamjaftueshme për të mbështetur pretendimet për një “konspiracion gjigant kriminal”.

“Këto shifra dhe pretendime nuk arrijnë të ndërtojnë një konspiracion të madh kriminal ku Veseli të ketë pasur rol. Janë argumente rrethanore, tepër të dobëta”, tha ai.

Dixon theksoi se kritikat e tij ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk kanë për qëllim të minimizojnë vuajtjet e viktimave në Kosovë, disa prej të cilave janë pjesë e aktakuzës në këtë proces.

Në fjalën e tij përmbyllëse, ai u shpreh se viktimat janë të vetëdijshme se padrejtësia më e rëndë është ajo që paraqitet si drejtësi.

“Viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar apo e rreme”, deklaroi Dixon.

Ai shtoi se koha nuk i shëron të gjitha plagët, ndërsa mungesa e drejtësisë vetëm sa e thellon dhimbjen.

“Koha nuk i shëron të gjitha plagët dhe kjo vlen për çdo konflikt. Pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e shton dhimbjen dhe vuajtjen. Ky dështim bëhet edhe më i rëndë kur kemi të bëjmë me një mashtrim nga sistemi i drejtësisë. Viktimat, siç u tha më herët, kanë nevojë për drejtësi të bazuar në të vërtetën dhe në realitet”, tha ai.

Në përfundim, Dixon theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të pafajshmëve dhe integritetit të gjykatave.

“Në përpjekjen për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë – që është e domosdoshme dhe jo një opsion – nuk duhet të sakrifikohet e vërteta. Të pafajshmit duhet të mbrohen dhe gjykatat tona duhet të veprojnë me integritet”, përfundoi avokati.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA