Sony ka pasur javë mjaft të ngarkuara me prezantime dhe paralajmërime të produkteve të reja.
Në fund të muajit të kaluar, kompania prezantoi modelin LinkBuds Clip, ndërsa më pas njoftoi paraprakisht premierën e kufjeve të reja premium. Paralelisht, kanë qarkulluar edhe thashetheme për telefonat inteligjentë Xperia 1 VIII dhe Xperia 10 VIII.
Së fundmi, Sony ka publikuar një tjetër video të shkurtër në YouTube, duke paralajmëruar një produkt të ri. Videoja gjashtësekondëshe, me titullin “Zemra (dhe veshët) tuaj do të jenë tek ne kur ta shihni këtë”, shfaq një çarçaf rozë që mbulon një palë kufje, pa zbuluar detaje konkrete për modelin.
Në përshkrim nuk jepen informacione shtesë, por lë të kuptohet se prezantimi do të bëhet më 12 shkurt 2026.
Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht se për cilin model bëhet fjalë, spekulimet sugjerojnë se mund të jetë një version i ri i serisë WH-1000XM6. Raportohet se kufjet do të vijnë me një ridizajnim, ndërsa fillimisht pritet të jenë të disponueshme vetëm në ngjyrë të zezë dhe të bardhë.






