9.8 C
Pristina
Wednesday, February 11, 2026

Polonia dhe Italia qëndrojnë jashtë bordit të paqes të propozuar nga trump

Polonia dhe Italia kanë bërë të ditur të mërkurën se nuk do t’i bashkohen Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, duke iu shtuar listës së aleatëve të Shteteve të Bashkuara që po mbajnë një qëndrim të rezervuar ndaj këtij mekanizmi, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Fillimisht i konceptuar për të mbështetur një armëpushim në Gazë, Trump e sheh Bordin e Paqes me një rol më të zgjeruar në zgjidhjen e konflikteve globale. Ky vizion ka ngritur dyshime në disa vende, të cilat druajnë se ky mekanizëm mund të shndërrohet në një rival të Kombeve të Bashkuara. Ftesa për pjesëmarrjen e Rusisë dhe Bjellorusisë ka shtuar gjithashtu pasigurinë mes shteteve perëndimore.

“Konsideruar disa dyshime kombëtare lidhur me formën e bordit, në këto rrethana Polonia nuk do t’i bashkohet punës së Bordit të Paqes, por do ta analizojmë atë,” deklaroi kryeministri polak Donald Tusk gjatë një mbledhjeje qeveritare.

Ai theksoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten prioritet për Varshavën. “Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten prioriteti ynë, kështu që nëse rrethanat ndryshojnë dhe mundësojnë bashkimin në punën e Bordit, nuk përjashtojmë asnjë skenar,” shtoi Tusk.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani konfirmoi se edhe Italia nuk do të bëhet pjesë e Bordit të Paqes. “Nuk mund t’i bashkohemi Bordit të Paqes sepse ekziston një pengesë kushtetuese e pakapërcyeshme nga ana e Italisë,” tha ai për Sky TG24.

Megjithatë, Tajani u shpreh se Roma mbetet e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për rindërtim dhe sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme.

Sipas Kushtetutës italiane, vendi mund t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare vetëm në kushte të barabarta me shtetet e tjera. Sipas autoriteteve italiane, ky kusht nuk plotësohet nga statuti aktual i Bordit, i cili i jep Trumpit kompetenca të gjera ekzekutive. Kryeministrja Giorgia Meloni, e konsideruar e afërt me Trumpin, kishte deklaruar muajin e kaluar se i kishte kërkuar atij ndryshimin e kushteve të Bordit për t’i mundësuar Italisë anëtarësimin.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se në fund të muajit shkurt, Trump pritet të mbajë në SHBA mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, ku do të marrë pjesë edhe Kosova.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA