Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar tatimpaguesit që kanë obligime të papaguara se mund të aplikojnë për pagesë me këste dhe të përfitojnë zbritje të konsiderueshme të gjobave.
Sipas njoftimit të ATK-së, tatimpaguesit që zgjedhin ta paguajnë borxhin me një pagesë të vetme mund të përfitojnë 70% zbritje të gjobave. Ndërsa ata që lidhin marrëveshje për pagesë me këste mund të përfitojnë 50% zbritje të gjobave, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim theksohet se mosveprimi mund të rezultojë me transferimin e rastit në procedura të sforcuara të mbledhjes së borxhit, përfshirë edhe masa ligjore. Po ashtu bëhet e ditur se në këtë fazë, për lidhjen e një marrëveshjeje kërkohet një pagesë minimale prej 40% e borxhit tatimor.
ATK u ka bërë thirrje qytetarëve që të veprojnë me kohë, në mënyrë që të shmangin pasoja të mëtejshme dhe të përfitojnë nga lehtësimet e ofruara.






