Avokati Luka Mishetiq ka deklaruar se Zyrtari i Prokurorisë Speciale (ZPS) nuk ka arritur të provojë që i mbrojturi i tij, Hashim Thaçi, kishte dijeni për krimet e kryera nga ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme.
Sipas Mishetiq, prokuroria pretendon se Thaçi e ka përdorur pozicionin si kryeministër për të emëruar bashkë të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) në poste të larta. “Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë caktuar bashkë të akuzuarit ose të ketë ditur për krime specifike të kryera nga anëtarët e Qeverisë së Përkohshme,” tha avokati, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se Prokuroria nuk ka mundur të tregojë se KFOR-i ishte njoftuar nga udhëheqësit e UÇK-së për të hetuar këto krime, dhe nuk ka prova që Thaçi të ketë pasur njohuri për veprime kriminale të vartësve të tij që nuk ishin të njohura nga UNMIK-u dhe KFOR-i.
Gjithashtu, Mishetiq theksoi se edhe në rastet e keqtrajtimit në Baicë, ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se Hashim Thaçi kishte udhëhequr apo ishte përgjegjës për ato ngjarje.






